​Historianët e Deçanit kërkojnë konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, u ka bërë sot thirrje partive politike parlamentare, deputetëve të zgjedhur dhe faktorëve relevantë institucionalë të tregojnë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe të bëjnë të mundur konstituimin e Kuvendit që sonte, duke i dhënë fund ngërçit politik.

Seanca numër pesëdhjetë e katër do të vazhdojë nga ora njëzetedy, pasi seanca e mëhershme u ndërpre sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues tridhjetë ditësh, pas së cilës deri më datën 8 gusht deputetët nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim për konstituimin e legjislativit të nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Historianët e Deçanit në mënyrë të veçantë i bëjnë thirrje Avni Dehari, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive që të rikthehet në përpikëri te rendi i punës i dakorduar nga partitë politike, sipas marrëveshjes së arritur në takimin me kryetarin në detyrë të Kuvendit Glauk Konjufca.

“Çdo shmangie nga kjo marrëveshje do të konsiderohet si cenim i procesit demokratik dhe pengesë për zgjidhjen e krizës. Në të kundërt, Dehari mban përgjegjësi morale për thellimin e këtij ngërçi institucional.”

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan përkujton se shteti nuk mund dhe nuk guxon të mbahet peng i kalkulimeve politike dhe interesave të ngushta partiake.

“Hyrja në një vakum institucional dhe paqartësi kushtetuese do të cenonte rëndë rendi demokratik, funksionimin e institucioneve dhe vetë besimin e qytetarëve në sistemin kushtetues të Kosovës. Duke kujtuar përpjekjet historike për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe të qëndrueshme, ne theksojmë se është detyrë e secilit përfaqësues të popullit që të mbrojë interesin e përgjithshëm dhe funksionalitetin e shtetit.

Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe përkushtim ndaj interesit kombëtar. Mosveprimi është dëm kombëtar. Kosova nuk guxon të mbetet peng.”.

Back to top button