Hoti: Buxhetet e kësaj qeverie janë bërë dokumente abstrakte të padobishme

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i quajti si dokumente abstrakte të padobishme buxhetet e tri viteve të fundit të Qeverisë Kurtit.

“Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tri vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset.”, tha Hoti për RTV21.

Ai shtoi se nuk ka asnjë projekt madhor që ka nisur të realizohet.

“Grantet e ndara për komuna bëhen sipas formulës së ligjit të buxhetit. Problemi tek buxheti i komunave lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna. Përvoja në këto tri vite të qeverisjes së koalicionit VV-Guxo nuk është e mirë. Vitin e kaluar, gjysma e projekteve të reja të futura në buxhet kanë shkuar vetëm për komuna që ‘rastësisë’ të qeverisen nga VV-Guxo. “, deklaroi ish kryeministri Hoti.

Sipas tij, nëse ka rritje ekonomike atëherë duhet të zvogëlohet numri i familjeve në nevojë.

“Problem madhor i buxhetit në këto tri vite është përkeqësimi i strukturës së buxhetit. Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale.”. përfundoi Hoti./21Media

Back to top button