Hoti i reagon Osmanit: Zoti na ruajt nga politikanët e papërgjegjshëm

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar se pranimi i moratoriumit në Washington ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës.
Hoti ka thënë se vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë se cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë.
“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?! Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla. E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në. Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO dhe jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajt nga politikanët e papërgjegjshëm”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndërsa Hotit i ka reaguar Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Osmani. Përmes një shkrimi në Twitter, ai ka thënë se rendi kushtetues nuk është cenuar nga Zyra Ovale, por nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti./21Media

Back to top button