Hoti kërkon të kthehen shërbimet transportuese

 

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme.

Në komunikatën e Zyra e Kryeministrit thuhet se bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (psh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50% të qirasë, pagesa e 170 eurove).

“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti sqaron opinion se në kuadër të masave për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) për vitin 2021, në vlerë prej 222.4 milionë euro, të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 14.01.2021 (vendimi nr 06/58) janë të përcaktuara ndarjet buxhetore për secilën nga masat, përfshirë këtu edhe modalitetet e zbatimit të masave, ku obligohen ministritë përgjegjëse të përgatisin planet dhe kriteret sektoriale për zbatimin e masave të cilat pastaj miratohen në Qeveri. Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (psh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50% të qirasë, pagesa e 170 eurove)”, thuhet në komunikatë.

Tutje aty thuhet se pandemia ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset.

Ndryshe, sot ka nisur greva në transportin publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në Kosovë për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit. Nga shoqata kanë paralajmëruar edhe forma të tjera të protestës./21Media

 

Back to top button