Hoti: Kjo Qeveri pa zot shtëpie që kujdeset për ekonominë, investimet publike janë tkurrur

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se në tri vjet të qeverisjes së Albin Kurtit, nuk ka asnjë politikë ekonomike e fiskale që siguron punësim e prodhim të qëndrueshëm.
Ai vlerëson se kjo qeveri nga fillimi ka trend rënës të ekonomisë, teksa shton se investimet publike në tri vitet e fundit janë tkurrur sipas tij, shumë.
“Trendi rënës i ekonomisë po vazhdon gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie – që nga tremujori i dytë i vitit 2021 kur e nisën mandatin. Pa zot shtëpie që kujdeset për ekonominë e bashkëpunon me sektorin privat, rritja ekonomike është shafitur në nivele të ulëta që as amortizimi i kapitalit nuk mbulohet”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, e gjithë politika ekonomike është reduktuar në subvencione, të cilat mundësojnë mbijetesë, por jo siç tha ai, zhvillim.
“Kjo ka qenë e pritshme. Në tri vite të qeverisjes, nuk ka asnjë politikë ekonomike e fiskale që siguron punësim e prodhim të qëndrueshëm. Investimet publike në tri vitet e fundit janë tkurrur jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ai./21Media