Hoti: Koalicioni properëndimor do të fitojë bindshëm

“Ne jemi të sigurt në fitore, por ju kërkoj përkrahje që kjo fitore të jetë e thellë”

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën në Gjilan se masiviteti i tubimeve të koalicionit të djathtë tregon se më 11 qershor në Kosovë do të fitojë koalicioni properëndimor dhe me duar të pastra.

Ai ka theksuar se programi i këtij koalicioni është për një qeverisje pa krim dhe korrupsion, me njerëz të dëshmuar dhe që i kanë duart e pastra.

“Qytetarët e Kosovës e dinë kush janë pro-perëndimorët në Kosovë. Ne do ta çrrënjosim krimin e organizuar dhe korrupsionin, sepse i kemi duart e pastra.

Ne jemi të sigurt në fitore, por ju kërkoj përkrahje që kjo fitore të jetë e thellë, për ta krijuar një qeveri të fortë, që e udhëheq Kosovën kah përmbyllja e shtet-ndërtimit”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, vetëm qeverisja e koalicionit LDK-AKR-Alternativa ia hap dyert vendit për integrimet euro-atlantike, ndërsa shtoi se kanë zgjidhje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pa humbur asnjë pëllëmbë tokë.

“Ne do t’ua sjellim krejt qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave. Ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës, andaj dilni masivisht në këto zgjedhje, që janë referendum për Kosovën”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK-ja edhe këtë herë do të dëshmojë se është forca e vetme politike që e meriton besimin e qytetarëve.

Ai bëri me dije se LDK-ja është parti e familjes dhe bashkë me partnerët do të ecë drejt fitoreve të reja.

“Zoti kryeministër Mustafa, ju dëshmuat se kryeministri i LDK-së është i vetmi që mund ta largojë liderin e PDK-së nga qeverisja. Ju e larguat edhe liderin e dytë të tyre. Tani më ajo parti nuk ka emër, nuk ka kandidat dhe është mbështetur në një gardh tjetër”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, ata janë mosmirënjohës me partnerë, luftëtarët e lirisë, bizneset, Kosovën dhe se mosmirënjohësi e di ku e ka vendin.

“Nëse nuk e kanë kuptuar ende, do t’u tregojmë më 11 qershor”, ka thënë  Haziri, duke shtuar se me PDK nuk do të ketë asnjë mundësi koalicioni, as me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

“Dëshirojmë t’i tregojmë edhe lëvizjes së kuqe se Gjilani nuk i duron vijat e kuqe të yllit dhe as zemrat e zbrazura. Kot e kanë që janë qethur, rruar e teleisur. Prej që janë zbuluar gërshërët dhe zhileti, në Gjilan njerëzit janë rruar me kohë dhe nuk ka pasur nevojë të ketë zgjedhje për diçka të tillë”, ka thënë Haziri.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Gjilani është model se si qeveriset komuna.

“Ne kemi ndërtuar rrugë, shkolla, sheshe, të tjerët i prishën sheshet për t’i marrë gurët dhe ta gjuajnë shtetin tonë, policinë tonë. Prandaj, ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë votën tuaj. Ne u thamë PDK-së të mos nguten dhe të presim deri në zgjedhjet lokale, në mënyrë që të shpenzojmë shumë më pak, e njëkohësisht do ta respektojmë muajin e shenjtë të Ramazanit. Ata që nuk e respektuan këtë muaj, nuk mund ta kenë respektin e popullit. Njëjtë do të kisha thënë edhe nëse kjo do të kishte ndodhur në Ditën e Pashkëve”, ka thënë Mustafa.

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se vota e 11 qershorit ka rëndësi për dy arsye.

“Ndarja nga matrapazët dhe profiterët, të cilët e mbajtën Kosovën peng deri tash. Ndërsa, arsyeja e dytë është krijimi i qeverisë së zhvillimit, shpresës dhe prosperitetit. Kosovën duhet ta ndërtojmë sipas idealit të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe idealit të dëshmorëve tanë, të cilët ranë për një Kosovë ndryshe nga kjo që e kemi sot”, ka thënë Pacolli.

Back to top button