Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova e ka vënë në kontroll pandeminë Covid-19, duke bërë thirrje për respektim të masave.

Ai gjatë një vizite në ShSKUK duke diskutuar me drejtorët e Klinikave është shprehur optimist se vendi është në rrugën e duhur për të menaxhuar me sukses edhe mundësinë e një vale të re të koronavirusit.

Hoti tha se në ditët në vazhdim do të nisë një ristrukturim që ndoshta nuk ka ndodhur në 30 vjetët e fundit.

“Ndoshta kjo është situata që të hyjmë në plane afatgjata të ristrukturimit komplet të institucioneve shëndetësore në nivel vendi edhe sa i përket kapaciteteve teknike dhe mjekëve”, tha Hoti.

I pari i ekzekutivit theksoi se vala e dytë po duket që është kthyer në Evropë duke shtuar se ne duhet të jemi të përgatitur.

Ndërkohë, kryeministri i premtoi personelit mjekësor edhe stimulime financiare./21Media