Hoti kritika ndaj ministrit Peci: Efektet e punë së tij janë zero

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka adresuar kritika ndaj Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci , duke thënë se efektet e punë së tij janë zero.
“Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021:
1. Importi i llojeve të ndryshme të grurit është rritur me 63% (2021 – 22.7 mil euro, 2022 – 36.9 mil euro).
2. Importi i llojeve të ndryshme të mishit është rritur me 51% (2021 – 82.5 mil euro, 2022 – 124.5 mil euro).
3. Importi i gjedheve për therje është rritur me 42% (2021 – 45.2 mil euro, 2022 – 64.2 mil euro).
4. Importi i qumështit dhe produkteve të qumështit është rritur me 32% (2021 – 56.8 mil euro, 2022 – 75.2 mil euro). “, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai e ka cilësuar këtë si rritje tepër të madhe pavarësisht rritjes së inflacionit.
“Nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit. Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor, dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit. Le t’ia sqaroj dikush Ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje.”, ka shkruar Hoti.
Paraprakisht ai a thënë se nëse nuk rritet menjëherë mbështetja për bujqit, rritja e konsiderueshme e çmimit të inputeve bujqësore (farëra, plehra, pesticide dhe ushqim të kafshëve) do të dëmtojë prodhimin vendor./21Media

Back to top button