Hoti: Kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se pasiguria e furnizimit me energji elektrike dhe kriza në këtë sektor po e rrënon ekonominë kosovare.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti tha se kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare, duke shtuar se investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji.

Ndërkaq për njoftimet e djeshme nga KEK se disa njësi gjenden në remont dhe disa njësive të tjera që patën probleme, Hoti tha se këto po ndodhin pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite.

“Kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare. Investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji. Paqartësia nuk lidhet vetëm me çmimin e lartë dhe të paparashikueshëm, por edhe me pasigurinë e furnizimit. Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite.
Blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite. Centrali me gaz i Marrëveshjes së Uashingtonit u anulua në vitin 2021. Mjetet e parapara për atë qëllim u destinuan për projektin e baterive, por në fund humbën krejtësisht për shkak të ndryshimit të prioriteteve të politikave amerikane. Dalja në tregun e hapur energjetik, pa i siguruar kushtet paraprake, duket se do të jetë shkatërruese për shumë prodhues. Kjo do të ketë pasoja për punësimin e mijëra punëtorëve dhe, në veçanti, do të përkeqësojë aftësitë konkurruese të prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe të jashtëm, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar të Kosovës“, ka shkruar Hoti. /21Media

Back to top button