Hoti: Kurti përdori policinë për t’i shkëputur bizneset nga energjia që prodhohet me thëngjillin e Kosovës

Deputeti i LDK- së, Avdullah Hoti ka adresuar kritika ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurit pas fillimit të shkyçjes së 1400 bizneseve nga rrjeti energjetik.
Hoti ka përmendur disa vendime të qeverisë aktuale që sipas tij e kanë sjellë vendin në krizë. Sipas tij kryeministri ka kundërshtuar dhe anuluar ndërtimin e termocentralit të ri, nuk ka ndërtuar asnjë kapacitet të ri energjetik dhe ka anuluar projektin e gazit që ishte paraparë me Marrëveshjen e Uashingtonit.
“Sot, ky kryeministër përdor policinë për t’i shkëputur bizneset nga energjia që prodhohet me thëngjillin e Kosovës. Pse gjithë ky entuziazëm për t’i detyruar bizneset të blejnë energji disa herë më shtrenjtë, pa pasur kushte për treg të hapur dhe konkurrues?!”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtruar pyetjen se si u arrit që situata të përkeqësohej deri në këtë pikë, duke lënë bizneset në mëshirë të çmimeve të larta dhe pa siguri energjetike.