Hoti: LDK-së i nevojitet lidership i ri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se partisë së tij i duhet lidership i ri pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së. Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, ka shkruar Hoti.
Hoti tutje ka thënë se pas rezultatit të zgjedhjve LDK-ja ka nevojë për lidership të ri.
“Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi”, ka thënë tutje ai.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se në takimin konsultativ të udhëheqësve të partisë para dy ditësh e ka bërë të qartë që nëse lidershipi s’merr përgjegjësi dhe s’hap rrugë për reformë, ai do të dorëhiqet.
“Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së. Të gjithë ne që kemi përgjegjësi politike para elektoratit të LDK-së kemi për obligim të sigurojmë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar të zgjedhjes së lidershipit të ri të LDK-së. Secili nga ne, përfshirë anëtarët e Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, kemi përgjegjësi për t’i dhënë LDK-së drejtimin e duhur”, ka thënë në fund Hoti.
Të mërkurën dha dorëheqje , nga posti i nënkryetares së partisë Hykmete Bajrami, derisa ka kërkuar edhe dorëheqjen edhe të kryetarit Lumir Abdixhiku./21Media