Hoti: Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët kryesorë na kritikojnë në një diskutim të KS-së

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën.

Hoti ka thënë se mbrëmë ishte hera e parë që aleatët kryesorë kritikuan Kosovën në një diskutim të Këshillit të Sigurimit dhe se u dëshmua se mungesa e bashkërendimit të veprimeve me ta, ka pasoja për vendin.

“Kjo qaje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.RTV21/21Media

Back to top button