Hoti: Paraqitja e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më e dobët
Hoti flet pas takimit të ekipit negociator me Mogherinin
Sot në Bruksel është mbajtur takimi i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë i kryesuar nga, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Ekipi kosovar u shpreh i kënaqur nga ky takim. Por, nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdulllah Hoti e ka vlerësuar si të dobët paraqitjen e grupit negociator të Kosovës sot në Bruksel.
“Paraqitja e Kosovës sot në Bruksel asnjëherë nuk ka qenë më e dobët, më jo legjitim dhe me premisa për të shkaktuar më shumë dëme. Ky ekip negociator, me përfshirjen e PSD-së, është thjeshtë dekor për të maskuar mungesën e legjitimitetit të Koalicionit PAN.”, ka deklaruar Hoti për portalin rtv21.tv.
Ai tutje ka thënë se ekipi në fjalë nuk do të mundet që t’i mbrojë interesat e vendit.
“Në këtë format si është, ky ekip nuk ka fuqi të marrë vendime apo të kundërshtoj, dhe as të punoj unik. Rrjedhimisht, nuk mund të mbrojë interesat tona. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një delegacion i Kosovës të shkojë në Bruksel me qëllime kaq të paqarta dhe enigmatike sa ky ekip “negociator” dekorues.”, ka përfunduar Hoti.
Në anën tjetër, kryesuesi Shpend Ahmeti pas takimit ka deklaruar se ekipi negociator i Kosovës i bënë të qartë Mogheriti cili është roli i këtij delegacioni dhe siç tha ai, i shpreh gatishmërinë të diskutojmë temat e hapura me Serbinë.
Kurse përfaqësuesja e BE- së, Mogherini pas takimit në një njoftim zyrtar ka thënë se ka shfrytëzuar takimin për të kërkuar sërish që të hiqet taksa e vënë ndaj produkteve serbe./21Media