Hoti: Përveç taksës, kjo Qeveri nuk ka çfarë të prezantojë para qytetarëve
Hoti u shpreh kritik edhe ndaj ekipit negociator
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Serbia meriton që taksa të jetë shumë më e lartë se tash. Mirëpo, sipas tij, Qeveria taksën po e përdor për diçka tjetër.
“Qeveria po mundohet që taksa të jetë strehimore e dështimeve të tyre. Taksa është bërë çelës për t’i mbuluar këto probleme. Përveç taksës, kjo qeveri nuk ka çfarë të prezantojë para qytetarëve.”, ka thënë Hoti.
Hoti kritik u shpreh edhe ndaj ekipit negociator. “Gjendja kurrë nuk ka qenë më e paqartë sa i përket dialogut. Sa më shpesh që ekipi po shkon në takim, aq më e paqartë po është gjendja e dialogut.”, ka shtuar Hoti.
Ai nuk la pa përmendur edhe gjendjen në veri. Sipas Hotit, ende nuk dihet se kush po qeveris në atë pjesë.
Sa i përket grevave, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se ato vetëm sa po thellohen dhe për këtë fajtor e sheh Qeverinë. “Qeveria të anulojë rritjen e pagave për vete. Zgjidhje tjetër mund të jetë edhe ne të ulemi dhe ta rishkruajmë ligjin e pagave. Greva vetëm po thellohet.”, ka thënë ai.
Hoti ka përmendur edhe mos akreditimin e disa programeve të UP-së. Ai ka thënë se do të kërkojnë llogari për këtë gjendje. Po ashtu, Hoti ka thënë se qe 10 muaj KQZ-ja është paralizuar dhe se presidenti ka obligim që të emërojë anëtarët e KQZ-së.