Hoti: Qeveria e vendosur që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të Telekomit

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka pranuar me shqetësim veprimet e Bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, në një situatë të vështirë financiare të kësaj ndërmarrjeje publike të rëndësisë strategjike për vendin.

“Qeveria e Republikës së Kosovë nuk e mirëpret aspak këtë veprim të Bordit të Telekomit. Vërejtjet e ngritura edhe nga Sindikata e Telekomit janë shqetësuese për Qeverinë si aksionar. Qeveria është e vendosur që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të kësaj ndërmarrjeje me rëndësi strategjike për vendin. Prandaj, në cilësinë e aksionarit, Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë për të ndaluar veprimet e tilla dhe për të siguruar kushte për rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës”, ka thënë kryeministri Hoti.

Ndërsa, mbrëmë Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka njoftuar se ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet me Bordin e përkohshëm të Telekomit dhe se nuk e njeh atë si bord.

FSP-PTK njofton se këtë vendim e ka marrë për shkak të siç thuhet, veprimeve të papërgjegjshme dhe në dëm të interesave të Telekomit. Me ç’rast i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shkarkimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve dhe caktimin e një bordi tjetër të përkohshëm ./kp

Back to top button