Hoti raporton javën tjetër në Kuvend – PDK e mirëpret, VV thotë se tanimë është vonë

 

Në fillim të javës së ardhshme kryeministri Avdullah Hoti pritet të raportojë në Kuvendin e Kosovës për arritjen e marrëveshjes për “normalizimin ekonomik” me Serbinë në kryeqendrën e ShBA-së, Washington.

Ani pse Partia Demokratike ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, e Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesën për raportim, një gjë e tillë nuk do të bëhet pa u kthyer deputetët nga pushimi, ndonëse rregullorja e Kuvendit e mundëson mbajtjen e një seance në çfarëdo kohe kur arrihen katërdhjetë nënshkrime.

Ndërkohë, gjatë ditës dhe vet shefi i ekzekutivit me anë të një shkresë drejtuar kryeparlamentares kërkoi të raportojë te të zgjedhurit e popullit.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci tha për kp ndonëse është vonë për raportim, kanë dorëzuar kërkesën që Hoti të paraqitet para deputetëve për të arsyetuar marrëveshjen e Uashingtonit. Derisa adresoi kritika edhe për partinë tjetër opozitare, PDK, që sipas tyre po e luajnë rolin e opozitës.

“Tashmë është vonë për raportim, kryeministri i vendit do të duhej paraprakisht të kishte një unitet duke arritur, jo vetëm të informojë për platformën e objektivat e vet, por të marrë një përgjegjësi të plotë që mos të vijmë në një situatë të cilën jemi aktualisht që ngjanë si një bombë e kurdisur… dje kam dërguar në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kërkesën që të shqyrtohet në kryesi dhe të ftohet në raportim kryeministri, pash nga mediat që ka pasur iniciativa edhe nga grupet tjera. Është për të ardhur keq që PDK-ja që është pseudo opozitë faktikisht, pas përfundimit të situatave si kjo kur kemi një nënshkrim të marrëveshjes duket që dëshirojnë të luajnë rolin e opozitës. Derisa në asnjë moment nuk e kanë pasur gatishmërinë të përkrahin iniciativat tona”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi u shpreh se janë duke mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për të raportuar kryeministri Hoti. Pasi sipas tij, i njëjti ka devijuar nga qëllimet kryesore të dialogut me Serbinë.

“Jemi aktualisht në fazën e mbledhjeve të nënshkrimeve dhe konsultimeve me partitë tjera politike. Ne besojmë që në këtë fazë është e rëndësishme të sqarohet nga kryeministri se pse ka devijuar nga qëllimet kryesore që ka qenë marrëveshja finale ku njohja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të jetë e pashmangshme dhe kuptohet ulësja në OKB”, tha ai.

E monitoruesi i punës së Kuvendit, Allen Meta nga “D4D” e sheh të pamundshme mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme gjatë kësaj jave.

“Përderisa nuk mund të ketë një bashkëpunim real mes LVV-së dhe PDK-së duke pasur parasysh se secila në mënyrën e vet dëshiron të marrë përsipër që të jetë e para për thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme. Ne besojmë që për seancë të jashtëzakonshme ka nevojë për bashkëpunim të këtyre dy partive opozitare për momentin. Ndërkaq, duke pasur parasysh që Kuvendi është në pushim besojmë që data më e përafërt është kur kthehen prej pushimit gjithë kuvendi”, tha Meta.

E për një raportim të tillë shprehu gatishmëri kryeministri, Avdullah Hoti.

“Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të mia kushtetuese e ligjore, jam i gatshëm që në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit të Republikës së Kosovës të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi”, u bë e ditur në shkresën e tij drejtuar kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

Të premten e javës së kaluar në kryeqendrën e ShBA-së Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo nga paritë në pushtet është parë si hap i madh pozitiv, ndërsa opozitarët e kanë kritikuar, duke e cilësuar si të dëmshme./kp

Back to top button