Hoti uron Kroacinë: Kjo është një arritje e madhe
Kroacia po hyn në një vit historik pasi i bashkohet zonës Shengen pa kufij të BE-së dhe ajo heq monedhën e saj, kunën, duke adoptuar euron.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka uruar Kroacinë duke thënë se kjo është e rëndësishme për të gjithë Ballkanin.
“Pas 27 vitesh të luftës së përgjakshme, kjo është një arritje e madhe. Me durim dhe vendosmëri arrihet gjithçka. Me padurim presim ditën kur Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane dhe aleancës së NATO-s. Angazhimi ynë politik në çdo kohë ka qenë dhe mbetet në funksion të integrimit euro-atlantik të Kosovës, pavarësisht sfidave që na imponohen nga jashtë apo politikës së brendshme që kurthohet kohë pas kohe e na humb kohë të vlefshme”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Kroacia është vendi i 27 në zonën Shengen, i cili lejon 400 milionë njerëz të lëvizin lirshëm ndërmjet vendeve.
Ekspertët thonë se lëvizja në monedhën evropiane duhet të ndihmojë në mbrojtjen e ekonomisë së Kroacisë në një kohë inflacioni në të gjithë globin.
Euro u lansua më 1 janar të vitit 1999 si monedhë elektronike dhe u bë mjet ligjor për rreth 300 milionë njerëz në 12 shtete anëtare më 1 janar 2002. Me shtimin e Kroacisë, tani ka 20 vende në eurozonë./21Media