Hoxha: Me pranimin e Policisë së Kosovës në SEPCA do të ketë vetëm fitues

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha mori pjesë sot në mbledhjen e Asamblesë së Shoqatës së Shefave të Policisë të Evropës Juglindore (SEPCA) në Berat.
Në fjalën e tij Hoxha u shpreh se, “edhe pse Policia e Kosovës nuk është anëtare e plotë e SEPCA-s, prania jonë sot si partner i ftuar reflekton përkushtimin tonë të përbashkët për bashkëpunim, për partneritet dhe mirëkuptim të ndërsjellët, ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit në rajonin tonë”.
Ai theksoi se, “Policia e Kosovës e sheh SEPCA-në jo vetëm si një forum rajonal, por edhe si një partner të vlefshëm në vizionin tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore sa më të sigurt”.
“Policia e Kosovës është një institucion profesional, shumetnik, i themeluar mbi parimet demokratike, sundimin e ligjit dhe standardet ndërkombëtare të policimit”, tha ai.
Hoxha deklaroi se, “Policia e Kosovës është e gatshme dhe plotësisht e përkushtuar të bëhet anëtare e plotë e SEPCA-së”.
“Ne besojmë që anëtarësimi jonë i plotë, jo vetëm do të thellonte kontributet tona, por gjithashtu do të forconte gjithë përfshirjen, koordinimin dhe efektivitetin e mekanizmave rajonal të sigurisë”, tha Hoxha.
Ai shtoi se, “me pranimin e Policisë së Kosovës në SEPCA besoj që do të ketë vetëm fitues, nuk do të ketë asnjë humbës”.
“Le të jetë ky takim në Berat një kapitull i ri i bashkëpunimit tonë. Jemi të bindur se përfshirja e Policisë së Kosovës si anëtare e plotë dhe e barabartë do të pasqyrojë nevojat praktike të rajonit dhe frymën e unitetit që përkufizon këtë platformë”, tha Hoxha.
“Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona, të shkëmbejmë njohuri dhe të qëndrojmë përkrah jush në çdo sfidë që përballemi së bashku, si partnerë të barabartë dhe si kolegë të besuar”, theksoi Hoxha. /oranews.tv