Hoxhaj theksoi rëndësinë e komunave për politikën e jashtme

Hoxhaj theksoi rëndësinë e komunave për politikën e jashtme

Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka organizuar konferencën një-ditore me temën: “Diplomacia e qyteteve: Qeverisja, zhvillimi lokal dhe marrëdhëniet me jashtë”.

Në këtë konferencë ku prezentë ishin kryetarë komunash, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ambasadorët e Kosovës jashtë vendit u diskutua për mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve të Kosovës dhe qyteteve të ndryshme në Evropë dhe më gjerë.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se bashkëpunimi ndërkombëtar i komunave është pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të Kosovës. Ai shtoi se MPJ është në dispozicion të Komunave për t’i ndihmuar në procesin e lidhjes së bashkëpunimeve, marrëveshjeve apo binjakëzimeve, në funksion të rritjes së mundësive për qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli ka vlerësuar se komunat mund të kenë ndikim pozitiv në diplomaci.

Përvec pjesëmarrësve nga Kosova, përvojat në qeverisjen komunale i ka ndarë edhe Arbjan Mazniku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

”Në panelet tjera u diskutua për promovimin e turizmit lokal dhe angazhimin e qyteteve në iniciativa dhe asociacione rajonale dhe ndërkombëtare”, bëhet e ditur ndër të tjera në komunikatë.

Konferenca e sotme është organizuar si vazhdimësi e aktiviteteve të dala nga konferenca e ambasadorëve e organizuar në dhjetorin e vitit të kaluar.