Hoxhaj reagon ndaj deklaratave të Kurtit për luftë: Nëse është situatë serioze, duhet të mblidhet Kuvendi

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, sot i ka reaguar kryeministrit Kurti për deklaratat e tij për luftë, duke thënë se nëse situata është kaq serioze, kryeministri duhet të thërrasë Kuvendin dhe të japë shpjegim publik.
Hoxhaj ka thënë se Kurti gjatë kësaj jave foli dy herë për luftë e javën tjetër do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
“Javën tjetër Kurti takohet me Vuçiqin në Bruksel! Çfarë kuptimi ka dialogu dhe diplomacia në tavolinë kur në terren po kërcënohemi me luftë? Nëse situata qenka kaq serioze, atëherë do të duhej të mblidhet Kuvendi dhe jo të shkojë kryeministri në Bruksel. Nëse ka ndonjë sinjal për situata serioze, Kurti duhet ta njoftojë opozitën dhe partnerët. Nëse nuk është reale mundësia e luftës, atëherë kush investon në një Kosovë nëse është në gjendje lufte? Kush e njeh më? Si mund të anëtarësohet Kosova në organizata ndërkombëtare? Rrëfimi për Kosovën si shtet në prag lufte aq shumë po dëmton vendin sa që të tejkalojë imagjinatën e Kurtit? Por, nëse situata është serioze, kryeministri Kurti duhet të japë shpjegim publik dhe informim politik neve, deputetëve të Kuvendit”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Tutje, Hoxhaj ka thënë se sipas Kushtetutës, Kryeministri dhe Presidenti i Republikës kanë për detyrë të thërrasin mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës çdoherë kur kanë informacione të besueshme se ka rrezik të drejtpërdrejtë për luftë dhe konflikt të armatosur, kur rrezikohet siguria dhe mbrojtja e vendit, jeta dhe prona e qytetarëve.
“Çfarë mënyre komunikimi është kjo e parisë institucionale kur flasin për luftë e nuk zbatojnë detyrat kushtetuese që kanë ndaj vendit dhe qytetarit?”, ka thënë Hoxhaj./21Media

Back to top button