Hoyt Yee mbështet reformat në drejtësi

Hoyt Yee  e vlerësoi  iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropë dhe Azi, Hoyt Yee gjatë një takimi me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila po qëndron për vizitë në SHBA, vlerësoi lart iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Zyrtari i lartë amerikan po ashtu përshëndeti aprovimin e këtij ligji nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë reformë si sukses drejt fuqizimit të sundimit të ligjit.

Nga ana tjetër, ministrja Hoxha e njoftoi Yee për reformat e ndërmarra, punën dhe angazhimin e institucioneve të vendit për të fuqizuar sundimin e ligjit.

Duke ritheksuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Qeverinë amerikane, ministrja Hoxha falënderoi Yee për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit përgëzoi Ministren Hoxha për punën dhe përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për reformat që po bëhen në sektorin e drejtësisë.

Back to top button