Hyrja në fuqi Ligjit për Automjetet dhe të Huajt, Kurti i informon ambasadorët për fazat e zbatimit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimin, kanë mbledhur sot në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë dhe shefat e misioneve diplomatike në vend, për t’i informuar lidhur me fazat e zbatimit të dy ligjeve të reja.

Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjete kanë hyrë sot në fuqi, për të cilat Qeveria ka thënë se janë të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian, dhe veprimet afirmative që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.

Në njoftim sqarohet se faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore.

“Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj”, thuhet në njoftim.

Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë.

“Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”.

Në njoftim thuhet se Kurti i ka informuar ambasadoret e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit te integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.

“Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren ne konsideratë”, thuhet në njoftim.

Back to top button