Hyseni-Qeverisë: Mjaft more të pafytyrë se na morët në qafë

Skender Hyseni, ka bërë një reagim të ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, më saktësisht ndaj ministres së Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.

Reagimi i tij erdhi pasi kjo e fundit foli rreth tërheqjes nga gara presidenciale të Joe Biden.

Ish-ministri dhe deputeti i LDK-së, e ka quajtur Qeverinë të pafytyrë dhe të pandërgjegjshme e cila sipas tij e ka marrë në qafë Kosovën.

“Establishmenti politik në Kosovë, e besa edhe shoqëria në Kosovë kanë marrë turr me i “drejtu politikat parazgjedhore amerikane” thua se kanë fuqi magjike dhe se e kanë luksin të merren me gjëra që shkojnë larg përtej orbitës së tyre miniaturale”, tha ai.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla reagoi mbrëmë pas lajmit se Joe Biden do të tërhiqet nga gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gërvalla në një postim në “X” shkroi se populli i Kosovës e admiron dhe do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Presidentit Biden.

“Ai po tregon sërish se çfarë lideri dhe karakteri i madh është. Udhëheqja e tij në Perëndim dhe kontributi i tij dekada për lirinë dhe demokracinë globale janë një shërbim për të gjithë botën”, shkroi Gërvalla.

Back to top button