U arrestua 54-vjeçari i cili prej kohësh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ka qenë i dënuar me 16 vjet burg për vrasje.

Ai u ndalua në hyrje të aeroportit në Shqipëri, për verifikim më të detajuar i cili ishte kthyer deportiv nga Anglia. Në momentin e parë në Policinë Kufitare të Rinasit shtetasi Adrian Hoxha ka dhënë gjeneralitete të tjera duke bërë që punonjësit e Policisë të dyshonin për vërtetësinë e tyre. Më pas falë verifikimeve të thelluara, shkëmbimit të informacionit në kohë mes Policisë Kufitare, Departamentit të Policisë Kriminale, autoriteteve policore angleze dhe DVP Fier, identifikohet dhe vihet në pranga.

“Pas verifikimeve të thelluara nga Policia Kufitare e Rinasit në sistemin TIMS dhe dyshimeve të lindura gjatë pohimit të tij në kohën e intervistimit, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes Departamentit të Policisë Kriminale, autoriteteve policore angleze dhe DVP Fier, u bë i mundur identifikimi i gjeneraliteteve të vërteta dhe rezultoi se ai ishte shtetasi i shpallur në kërkim Adrian Hoxha (Haziz Hysa), 54 vjeç, banues në Siqecë, Patos, i cili udhëtonte si pasagjer i deportuar nga Anglia për në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e policisë shqiptare.

Sipa spolicisë ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 17.04.1998, e ka dënuar këtë shtetas me 16 vite burgim, për veprën penale “Vrasja”.

Në datën 30.01.1995, në fshatin Siqecë, Patos ai ka vrarë me armë gjahu për motive të dobëta, shtetasin M. Z.

54-vjeçari iu dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë në DVP Fier, për shoqërim dhe veprime të mëtejshme dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës./21Media