I dyshuari për rastin e rezervave shtetërore emërohet drejtor i Akreditimit

Qeveria e Kosovës emëroi të mërkurën Irfan Lipovicën drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Lipovica ishte arrestuar, në gusht 2023, si i dyshuar në rastin e rezervave shtetërore. Më pas ishte liruar nga paraburgimi në fund të muajit gusht të atij viti.

Ministrja Rozeta Hajdari në arsyetimin e propozimit tha se ky institucion ka rëndësi të lartë për ekonominë. Ajo tha se procesi i përzgjedhjes së kësaj pozite është zhvilluar në mbështetje të legjislacionit në fuqi.

“Akreditimi si proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve, pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe të proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare e vendore duke garantuar kështu që të ofrojë nivel të lartë të cilësisë”, tha ajo.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi emëroi edhe Ridvan Hoti, zëvendësdrejtorit Ekzekutiv për Trajtim të Burgosurve në Shërbimin Korrektues te Kosovës.

Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe raportin e përgjithshëm vjetor mbi Inspektimet, ndërkaq dritën e gjelbër ia dha edhe analizës juridike për thjeshtimin, bashkimin ose eliminimin e lejeve ose licencave të lëshuara të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bankës Qendrore, Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të tjerëve.

Në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës themeloi të mërkurën Këshillin Organizativ për shënimin e 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se është detyrë e të gjithëve që në memorien më të kthjellët kolektive të kujtohet Dita e Çlirimit të Kosovës.

Kosova shënon 12 qershorin si Ditë të Çlirimit nga okupatori serb, ku në atë ditë më 1999 kanë hyrë në Kosovë trupat e NATO-s.

“Është detyrë e jona që në memorien më të kthjellët kolektive ta kujtojmë për liri e paqe, për qytetarët dhe aleatët tanë për Republikën e Kosovës, ditën tonë të çlirimit dhe të paqes. Kjo do të jetë përbërja: ministri i Kulturës-kryesues, ministri i Mbrojtjes-anëtar, ministrja e Punëve të Jashtme-anëtare, ministrja e Drejtësisë-anëtare, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal-anëtar, dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit-anëtarë. Ftohen nga një përfaqësues në Këshill, Zyra e Presidentit, Kuvendi i Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komandanti i FSK-së, kryetarët nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe nga familja Jashari”, tha ai.

Back to top button