I mituri dyshohet se u dhunua në Ferizaj, Prokuroria: Po mbledhim informacione dhe prova
(Lajm i përditësuar)
Dhunimi i 13-vjeçarit në Ferizaj, Policia ende s’e ka identifikuar të dyshuarin
Një 13-vjeçar i një shkolle në Fushë Kosovë dyshohet se është dhunuar.
Lidhur me rastin nga Policia e Kosovës kanë thënë se informatën e kanë pranuar qysh të hënën, dhe se dyshohet se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja po dyshohet të ketë ndodhur në Ferizaj.
Gjithashtu bëhet e ditur se policia po punon intensivisht për identifikimin e të dyshuarit si dhe vendndodhjen e tij.
“Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt. Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në komunikatën e policisë.
Një nxënës i një shkolle në Fushë Kosovë dyshohet se është dhunuar, flasin nga prokuroria
Një nxënës i një shkolle në Fushë Kosovë po dyshohet se është dhunuar nga një person të cilin e kishte njohur në rrjetin social “TikTok”.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë për portalin rtv21.tv se prokurori i shtetit po mbledh informacione dhe prova për hetimin e rastit.
“E konfirmojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një informacion të tillë në lidhje me këtë çështje. Aktualisht rasti ndodhet në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të tjera, të cilat do të shërbejnë për procedurën e mëtejshme hetimore. Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që dhënia e informacioneve për të mitur është konfidencial”, thuhet në konfirmim.