​I mituri poston video me armë, Policia i gjen mbi 200 fishekë dhe armë të gjata

Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Rahovec, ka ndërmarrë sot veprime operative dhe hetimore lidhur me dy raste të ndara që kanë të bëjnë me përdorim dhe posedim të paautorizuar të armëve të zjarrit. Rastet u zbuluan pas publikimit të videove në rrjete sociale ku persona të ndryshëm shiheshin duke shtënë me armë.

Rasti i parë – i mituri kapet me armë dhe municion

Në rastin e parë, një i dyshuar i mitur kishte postuar në rrjete sociale një video ku shihej duke shtënë me armë zjarri. Pas identifikimit të tij, Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij në fshatin Qifllak – Rahovec, ku ka sekuestruar tri armë zjarri të gjata, një pistoletë me një karikator, një karikator shtesë, 207 fishekë të llojeve të ndryshme dhe nëntë gëzhoja kalibër 9mm.

I dyshuari është ndaluar për 24 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Rasti i dytë – i rrituri filmohet duke përdorur armë

Në rastin e dytë, një tjetër video e publikuar në rrjete sociale shfaqte një person tjetër duke përdorur armë zjarri, të dyshuar të llojit pistoletë. Pas hetimeve, është identifikuar një i dyshuar i moshës madhore nga fshati Fortesë – Rahovec. Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë sekuestruar dy pistoleta, një karikator.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Për të dy rastet, Prokuroria ka inicuar procedura penale për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Back to top button