I përgjumur brenda veturës së vjedhur, polici qëllon për vdekje 17-vjeçarin

Departamenti Amerikan i Drejtësisë do të hetojë vdekjen e një adoleshenti të Uashington DC, i cili u qëllua nga një oficer policie në datë 18 Mars.

Dalaneo Martin, 17 vjeç kishte vjedhur një makinë dhe ishte në gjumë brenda saj, ditën kur policia shkoi për ta arrestuar. Sipas pamjeve filmike, Dalaneo ka tentuar të largohet me shpejtësi sapo ka parë oficerët, por njëri prej këtyre të fundit ka hapur zjarr ndaj tij brenda në makinë.

Në një deklaratë për shtyp të Mërkurën, përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë u shprehën se: Humbja e një jete është gjithmonë tragjike, por është veçanërisht e trishtueshme kur përfshin një fëmijë. Kreu i këtij institucioni e quajti këtë akt alarmant duke i shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të adoleshentit.

Oficeri që qëlloi në shpinë adoleshentin ishte pjesë e Policisë së Parkut të SHBA dhe emri i tij nuk është bërë ende publik. Në pamjet filmike që mediat e huaja kanë publikuar shihet se si policët diskutojnë me njëri tjetrin për të arrestuar të miturin, i cili ndodhej brenda makinës i përgjumur.

Njëri prej oficerëve dëgjohet të thotë: Ju lutem mos e kapni brenda automjetit. E në momentin që adoleshenti i shikon, i jep gaz makinës dhe lë njërin prej policëve në sediljen e pasme. Ky i fundit arriti të futej brenda pas një përleshjeje për t’i vënë prangat të riut.

“Stop. Ndal ose do të qëlloj!” i thotë oficeri disa sekonda para se të qëllojë disa herë. Adoleshentit iu ofrua ndihma mjekësore menjëherë më pas, por ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Parkut në SHBA ka mbrojtur oficerin duke thënë se ka një arsye pse ai ka qëlluar të riun. Ndërkohë, nëna e 17-vjeçarit kërkon që oficeri që ka qëlluar të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht.

Back to top button