Identifikohen mbetjet mortore të tre të zhdukurve gjatë luftës, rivarrosen të premten

Të premten do të rivarrosen mbetjet mortore të tre viktimave të luftës, të zhdukur nga masakra e Kralanit, të cilët së fundmi u identifikuan përmes ADN-së.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se mbetjet mortore të Bali Pajazit Gashit, Fadil Shaban Elezajt dhe Masar Ymer Dushit janë zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin dhe do të rivarrosen në Klinë me kërkesë të familjarëve.

Komuna e Klinës së bashku me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur kanë organizuar ceremoninë e rivarrimit.

“Agjenda e ceremonisë: 11:30 – 12:30 Homazhe në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, Klinë; 13:00 – Akademi Përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” ;14:00 – Rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve, Kodra e Kuqe – Zajm, Klinë”.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u shpreh ngushëllime familjeve dhe riafirmon përkushtimin për vazhdimin e përpjekjeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Vitin e kaluar u varrosën tetë viktima të masakrës së Kralanit që u zhdukën me dhunë nga 4 prilli i 1999-tës. Në masakrën e Kralanit u masakruan 87 civilë shqiptarë.

Nga kjo masakër vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe një numër i madh i viktimave.

Back to top button