​“Identiteti nuk gjykohet”, shqiptarët në Luginë përballë përndjekjes institucionale

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KNSH), Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga gjykata në Serbi për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në objektin e KNSH-së, me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor 2025.

Rexhepi ka theksuar se ky veprim përbën dëshmi të vazhdimit të presionit dhe përndjekjes institucionale ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke shtuar se flamuri kombëtar po trajtohet si shkelje ligjore, ndërsa diskriminimi ndaj shqiptarëve po shndërrohet në politikë shtetërore.

“Flamuri trajtohet si shkelje, ndërsa diskriminimi si politikë shtetërore. Nuk do të tërhiqemi. Dinjiteti nuk gjykohet”, ka deklaruar Rexhepi.

Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka theksuar se Serbia vazhdon të jetë i vetmi shtet në Ballkan që, përmes ligjeve dhe praktikave diskriminuese, kufizon përdorimin e simboleve kombëtare të pakicës shqiptare.

Sipas Kamberit, ndjekja gjyqësore për vendosjen e flamurit përbën shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtës për shprehje të lirë të identitetit kombëtar dhe bie ndesh me standardet evropiane dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Rexhepi dhe Kamberi, kanë theksuar se përdorimi i flamurit kombëtar nuk është krim dhe se identiteti kombëtar nuk mund të gjykohet, duke shtuar se shqiptarët në Luginën e Preshevës do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre përmes rrugëve institucionale dhe mbështetjes ndërkombëtare.

Back to top button