IDK-ja i kërkon Kurtit transparencë për dialogun

Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ofrojë “transparencë rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi”
Kjo kërkesë e tyre është bërë përmes një letre ku IDK-ja ia ka përkujtuar Kurti që gjatë kohës sa ishte në opozitë partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, kishte insistuar në vazhdimësi transparencë dhe llogaridhënie ndaj Kuvendit dhe qytetarëve lidhur me këtë proces dhe se nga ai pritet që t’iu përmbahet këtyre parimeve.
“Më 15 qershor keni marrë pjesë në takimin e parë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me presidentin e Serbisë (Aleksandar Vuçiq), ku keni paraqitur 4 propozime. As para dhe as pas vizitës tuaj në Bruksel nuk keni raportuar në Kuvend lidhur me pozicionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e këtij procesi si dhe më konkretisht lidhur me këtë takim”, thuhet në letrën me kërkesën publike të IDK-së.
IDK-ja po konsideron që mungesa e transparencës po thellohet edhe sot, kur në Bruksel po mbahet takim i kryenegociatorit, Besnik Bislimi me palën serbe, ndërkohë që Kuvendi dhe as publiku nuk janë të njoftuar për këtë takim, për temat që do të diskutohen si dhe qëndrimin që do të paraqesë Qeveria e Kosovës.

“Mungesa e transparencës po thellohet edhe sot, kur në Bruksel po mbahet takim i kryenegociatorit, z. Besnik Bislimi me palën serbe, ndërkohë që Kuvendi dhe as publiku nuk janë të njoftuar për këtë takim, temat që do të diskutohen si dhe qëndrimin që do t’a paraqesë Qeveria e Kosovës. Të njëjtat shqetësime vlejnë edhe për takimin e nivelit të lartë, të paralajmëruar për datën 25 korrik, midis jush dhe presidentit Vuçiq.Mbyllja e procesit krijon hapësirë për dezinformim, sidomos për faktin që ky proces i ndjeshëm për aq kohë që po vazhdon, është bërë shkak i polarizimeve politike e shoqërore”, thuhet në fund të letrës./21Media
Back to top button