Juniku dhe Malisheva shpallin gjendje të jashtëzakonshme për shkak të vërshimeve

(Lajm i përditësuar)


Sveçla në Malishevë: Gjendja nën kontroll, janë evakuuar banorët

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka shkuar në Malishevë prej nga tha se gjendja është nën kontroll dhe se nga zonat më të rrezikuara janë evakuuar banorët.

Malisheva është një prej komunave më të prekura nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura që nga mbrëmë. Shumë rrugë janë bllokuar nga rritja e nivelit të lumenjve e përroskave. Komuna u ka apeluar qytetarëve që të kenë kujdes dhe të shmangin sa më shumë lëvizjet e panevojshme.

Sveçla përmes një videoje të publikuar nga Malisheva në rrjetin e tij social Facebook, tha se institucionet janë të angazhuara në të gjitha zonat e prekura me qëllim të menaxhimit të situatës.


Drejtoria për Emergjenca paralajmëron: Nëse reshjet vazhdojnë, mund të ketë vështirësi shtesë

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës ka thënë se ekipet e kryeqytetit kanë intervenuar në mbi 40 raste deri tani.

Në njoftim thuhet se nëse vazhdon intensiteti i reshjeve, mund të paraqiten vështirësi shtesë.

“Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, ekipet e Kryeqytetit kanë intervenuar në mbi 40 raste deri tani, në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm. Gjatë orëve në vijim, nëse intensiteti i reshjeve vazhdon, mund të paraqiten vështirësi shtesë, veçanërisht në zonat rurale të Prishtinas.”

Kjo drejtori ka bërë thirrje që të respektohen këto masa sigurie:

• Shmangni lëvizjen në zona të përmbytura dhe mos kaloni përmes ujërave të rrjedhshme.

• Mos parkoni automjetet pranë përrenjve, lumenjve dhe nënkalimeve.

• Siguroni bodrumet dhe hapësirat e ulëta të objekteve.

• Raportoni çdo situatë emergjente tek numrat zyrtarë të emergjencës.

“Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca po koordinon të gjitha aktivitetet dhe menaxhimin e situatës në terren, në bashkëpunim me ekipet komunale dhe shërbimet përkatëse. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar.”

Çdo rast emergjentë raportoni në numrat:

📞 0800 122 33

📞 0800 122 44


Shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në Malishevë

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Malishevës ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar pas reshjeve të dendura të shiut, është marrë vendim që të shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë deri më datën 12 janar.

“Duke u bazuar në parashikimet e Institutit Meteorologjik të Kosovës për përkeqësimin e motit dhe gjithashtu bazuar në gjendjen në terren në komunën tonë, e cila po rëndohet për shkak të reshura të shumta të shiut dhe bazuar në vërshimet, të cilat kanë përfshirë pothuajse çdo vendbanim të komunës sonë, ju njoftojmë se fillimi i gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri me datën 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Malishevës.

Po ashtu bëhet e ditur se ditët e humbura do të kompensohen gjatë muajve në vijim.


Lladrovci tregon për gjendjen nga vërshimet në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit , Ramiz Lladrovci ka reaguar pas vërshimeve që kanë kapluar këtë komunë,

Ai ka thënë se dalja në magjistrale po bëhet përmes rrugëve alternative.

Sipas tij, qindra hektarë tokë janë të vërshuara dhe rryma është ndërprerë për shkak të rrezikut tej trafoja kryesore të komunës.

“Komuna jonë po përjeton vërshime për tu mbajtur mend. Nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast, ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

Rrugët janë ndërprerë për qarkullim në drejtim të Komoranit, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve, vështirësi po paraqiten edhe te ura e Shtrubullovës. Dalja në magjistrale po bëhet me rrugë alternative.Qindra hektarë tokë janë të vërshuara, derisa rryma është ndërprerë për shkak se po rrezikohet Trafoja kryesore e komunës tonë, priten vështirësi edhe për furnizimin me ujë., ka thënë Lladrovci.

“Falënderoj Presidentën, Osmani-Sadriu për gatishmërinë e përkrahjes, ministrat në detyrë të linjës, z. Elbert Krasniqi dhe z. Hysen Durmishi, AME-në, qytetarët për solidaritetin për ndihmën me mjete personale, zyrtarët e komunës dhe institucionet tjera që janë të angazhuara për tejkalimin e gjendjes.

Falënderoj të gjithë ata që më telefonuan dhe me mesazhe po shfaqin brengosje për qytetarët dhe pronën e vërshuar në komunën e Drenasit.

Mbesim të angazhuar me të gjitha mundësitë për të qenë në nivel të detyrës.

Ftoj qytetarët për kujdes të shtuar dhe të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë.”, ka përfunduar ai.


Si pasojë e reshjeve të shiut  rrugët që lidhin Fushë Kosovën me fshatrat Grabovc e deri të Guri i Plakës janë të bllokuara, raporton RTV21


Nënkryetari i Drenasit: Gjendja është e rëndë, rrugët janë të bllokuara

Nënkryetari i Drenasit Arben Shala në një deklaratë për RTV21 tha pas reshjeve të shumta të shiut në komunën e Drenasit tha se gjendja është e rëndë dhe të gjitha rrugët janë të bllokuara .

“Për momentin gjendja është gjoxha e rëndë janë bllokuar rrugët për Poklek të Vjetër, kanë qenë disa vetura të bllokuara edhe tashmë është liru rruga priten tani me ec, disa shtëpi afër trafos ka pas informata që disa familjarë kanë qenë aty dhe për momentin nuk kemi diçka informata më të reja, është faza e hershme për dëmet por sigurisht që komisionet komunale të dalin në teren dhe të bëjnë vlerësimin e ngjarjes, shumica e rrugëve në komunën e Drenasit janë të bllokuara dhe ju them qytetarëve që të kenë durim.” tha ai ndër të tjera./21Media


Reshjet e shiut, Drenasi, Malisheva,Rahoveci mbesin pa rrymë

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit, për arsye sigurie, njofton KEDS

Sipas KEDS uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik.

„Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm.

KEDS njofton se gjendja është jo stabile edhe në Komunat e Malishevës dhe Rahovecit, për shkak të vërshimeve, ku për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës.

Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushte të sigurta.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin.

Do t’ju mbajmë të informuar me njoftime të tjera.”, thuhet në njoftim.


Durmishi thotë se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi,  njoftoi se nga mbrëmë janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar reshjet e shiut.

Ai po ashtu bëri të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjnë kudo që është e mundur.

Derisa Durmishi iu bëri thirrje qytetarëve  që të vozisin me kujdes.

“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit. Megjithatë, na duhet edhe bashkëpunimi juaj, ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës.”, tha ai.


Reshjet e shiut, KRU “Prishtina”, paralajmëron reduktime të ujit në këto komuna

Për shkak të reshjeve të shiut, Impianti i Trajtimit të Ujit është jashtë sistemit, prandaj do të ketë reduktime në Drenas, Fushë Kosovë, Obiliq dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë, kështu ka njoftuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”

Kjo kompani po ashtu ka bërë të ditur se  për orarin e reduktimeve do të njoftojnë më vonë.

“Ju informojmë se ITU Shkabaj është tashmë jashtë funksionit ,për shkak të nivelit shumë të lartë të turbullirave në kanalin Ibër Lepenc, si shkak i rreshjeve të dendura të shiut.”

“Ekipet tona janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht. Furnizimi do të rikthehet menjëherë sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues. Ju kërkojmë ndjesë qytetarëve për shqetësimet e shkaktuara nga natyra. Ndërsa, me ITU Albanik dhe Badoc jemi duke trajtuar ujë me kapacitet maksimal.”, thuhet në njoftim./21Media


Përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.


“I lëshuam shtëpitë”, telefonuesi nga Kozmini thotë se po përballen me vërshimet

Disa zona të Kosovës po përballen me vërshimet. Në një lidhje direkte për emisionin “Për ditë të mbarë”, në RTV21  një telefonues nga fshati Kozmin i komunës të Fushë Kosovës ngreu alarm se po përballen me vërshimet. Ai dërgoi pamje live nga vendi.

“ Uji  futet edhe brenda e nuk merr parasysh askush”, u ankua qytetari.


IHMK paralajmëron vërshime: Disa lumenj e përrenj kanë dalë nga shtretërit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.

Sipas IHMK-së disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre.

“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës), paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit./21Media

Back to top button