IKD e KPM nisin luftën gjyqësore në Supreme për zgjedhjen e kryetarit të ri

Më 17 janar të këtij viti ishte thirrur një mbledhje e Komisionit të Pavarur të Mediave, e cila ishte e para për këtë vit dhe e fundit për Jeton Mehmetin si kryetar i KPM-së, pasi më 21 janar këtij të fundit do t’i skadonte mandati për pozitën e kryetarit. Në këtë mbledhje antarët e KPM-së patën propozuar një plotësim ndryshim të rregullores së punës, e cila mundësonte zgjedhjen e kryetarit të ri edhe pse ai aktual ishte duke ushtruar detyrën.
Rregullorja u ndryshua, në nenin 3 u shtua paragrafi 2, e kryetar i ri ishte zgjedhur kandidati i cili rastisi të ishte i vetmi i propozuar nga antarët e KPM-së, Besnik Berisha. Krejt këto ndryshime e zgjedhje të reja në KPM, për Institutin e Kosovës për Drejtësi janë të kundërligjshme. IKD me këtë rast ushtroi padi ndaj KPM-së e cila kërkoi paligjshmërinë e këtij vendimi dhe shfuqizimin e paragrafit të shtuar në nenin 3 të rregullores së KPM-së.
Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se konsultimi publik është i domosdoshëm në plotësim ndryshimin e rregullores, gjë që s’ndodhi më 17 janar në mbledhjen e KPM-së.
“…Çdo lëvizje përtej këtij momentumi ligjor konsiderohet shkelje ligjore. Tutje, zhvillimin e konsultimeve publike, si një praktikë e mirë qeverisëse në rastin e akteve ligjore të KPM-së parashikon obligim ligjore dhe për faktin se këto konsultime publike nuk janë zhvilluar në rastin konkret përpos materies dhe procedura e miratimit të kësaj rregulloreje është e kundërligjshme…. Për herë të parë dëgjohen pretendimet e tilla se Rregullorja e Punës nuk është akt nënligjor. Përkundër qartësisë së kësaj çështje, po japim një përgjigje të shkurtë. Nëse kjo rregullore nuk është akt nënligjor, atëherë çfarë është: Ligj apo vendim individual, kuptohet që është ligj dhe jo vendim individual që vendos mbi një marrëdhënie specifike administrative…”, tha Shala.
Por, padinë dhe argumentet e Institutit të Kosovës për Drejtësi i konsideroi të pabaza i padituri, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KPM-së Niman Racaj. Duke dalur kundër argumenteve të IKD-së, Racaj kërkoi nga Gjykata që ta respektoj mandatin e kryetarit aktual të Komisionit të Pavarur për Media.
“…Rregullorja e Punës së KPM është rregullore që përcakton veprime procedurale specifike vetëm për anëtarët e Komisionit në zyrën ekzekutive rrjedhimisht në preambulën e saj është e shënuar qartë se është akt i brendshëm, konsultimi publik për një akt të brendshëm është në kundërshtim me vetë natyrën e aktit KPM ka dhjetëra akte normative nënligjore të cilat i ka vendosur në konsultim publik dhe nuk e kemi asnjë rast të vetëm kur aktet normative nënligjore nuk kanë dal konsultim publik…”, tha Racaj.
Zgjedhja e kryetarit të ri pa i skaduar mandati atij aktual kishte ngritur reagime të shumta, ku disa e cilësuan edhe tentim për kapje politike të Komisionit të Pavarur për Media.
Në fund të kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues, Dedushe Halimi tha se me vendimin e Gjykatës Supreme për këtë çështje palët do të njoftohen brenda afatit ligjor./21Media