Ikën 202 mijë shqiptarë, kryesojmë në Europë me kërkesat për azil, ky është shteti më i kërkuar
Për 12 vjet, 2022 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. Gjermania mbetet shteti më i preferuar, ndërsa mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë ka sjellë rënien e shifrave të të larguarve nga Shqipëria.
Që nga janari i vitit 2008 deri në qershor të vitit 2021 janë rreth 202 mijë shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian referuar Agjencisë Evropiane të Statistikave.
Numri më i madh i aplikimeve për azil është shënuar në vitin 2015 me rreth 66 mijë aplikime, ku rreth 70% kishin destinacion Gjermaninë.
Më tej shifrat janë përgjysmuar, ndërsa në vitin 2018 është shënuar një tendencë rritëse e lehtë.
Në vitin 2020, pandemia ka frenuar përkohësisht aplikimet për azil për shkak të karantinës dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ka ndalur tërësisht.
Duke iu referuar Eurostat, pas lehtësimit të masave ka pasur një rritje të kërkesave për azil, por në Shqipëri ka rreth 800 kërkesa më pak se 6 mujori i parë i vitit që lamë pas.
Ndërkohë, në një raport të Zyrës Evropiane për Mbështetjen e Azilit është bërë e ditur se Shqipëria ka frenuar kërkesat për azil, por numri mbetet ende i lartë dhe disa janë edhe kërkesa të përsëritura.
Eurostat ka bërë të ditur se këtë vit dy shtetet më të preferuara nga azilantët shqiptarë janë Franca me 365 aplikime dhe Greqia me 285. Në vend të tretë është Italia, e ndjekur nga Gjermania.
Në raportin e fundit të Eurostat është bërë e ditur se sirianët përbëjnë grupin më të madh të personave që kanë kërkuar azil, pas tyre vijnë afganët dhe pakistanezët./oranews