IKSHPK apelon qytetarët: Mos hani ushqim kudo

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka apeluar të qytetarët për kujdes të shtuar se ku konsumojnë ushqim duke rekomanduar edhe shmangien e disa ushqimeve për shkak të mundësive për helmim.
“Ju lutemi për kujdes të shtuar gjatë gatimit, ruajtes, shpërndarjes dhe konsumit tëushqimit! Shumë herë jemi ballafaquar me helmime me ushqim, ku qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital, të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
IKSHPK-ja tutje ka thënë të shmangen këto ushqime:
Shmangia e konsumimit të mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht!
Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, majonezë, salcat e ndryshme, etj.
Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier!
Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara.
Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë.
Ndërkohë, Instituti ka rekomanduar të konsumohet qumësht të pasterizuar ose të zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm. Ushqimi i mbetur të ruhet në frigorifer. Ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet dhe nuk duhet të ringrihet!
Duart duhet të lahen:
-para se të filloni të përgatisni ushqimin
-pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet
-pas përdorimit të tualetit
-pasi të pastroni hundën
-pasi të prekni një kafshë
-pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup.
“MOS HANI USHQIM KUDO! PAKUJDESIA SHKAKTON EPIDEMI ME RREZIK PËR JETËN E QYTETARËVE!”, ka theksuar IKSHPK./21Media

Back to top button