IKShPK jep rekomandime për përdoruesit e pishinave publike

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ndarë disa këshilla për përdoruesit e pishinave publike.
Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe garantimit të sigurisë në ambientet ujore, IKShPK u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që përdorin pishinat publike, të respektojnë udhëzimet në vijim:
Ruani higjienën personale
Para hyrjes në pishinë, bëni gjithmonë dush me ujë të rrjedhshëm;
Përdorni rroba banje të pastra dhe mos hyni në ujë me rroba të zakonshme;
Ndalohet hyrja në pishinë nëse vuani nga sëmundje infektive , të lëkurës apo të traktit tretës (p.sh. diarreja);
Nëse keni plagë të hapura, mos hyni në ujë – ato janë portë për infeksione.
Sjellje e përgjegjshme në pishinë
Respektoni rregullat dhe shenjat sinjalizuese;
Mbani fëmijët nën mbikëqyrje të vazhdueshme;
Shmangni sjelljet e rrezikshme si vrapimi, zhytjet e papritura apo hedhjet pa kontroll;
Ndalohet ndotja e ujit
Mos urinoni në ujë– dobëson efektin e klorit dhe përhap infeksione;
Mos fusni ushqim ose pije në zonën e ujit– kjo rrit rrezikun për ndotje dhe tërheq insekte;
Fëmijët e vegjël të përdorin pelena të posaçme për ujë;
Zgjidhni ambiente të sigurta dhe të mirëmbajtura
Frekuentoni vetëm pishinat që plotësojnë kushtet sanitare dhe janë të licencuara;
Nëse vëreni ujë të turbullt, erë të rëndë apo mungesë pastërtie, mos hyni në ujë dhe raportoni menjëherë.
IKShPK tutje thotë se kujdesi për higjienën dhe respektimi i rregullave ndihmon në mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe të të tjerëve.