Ilazi për RTV21 tregon cili është projekti më i madh për Kaçanikun

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi në një intervistë për portalin rtv21.tv ka shpalosur projektet që kanë filluar të jetësohen në këtë mandat. Ilazi gjithashtu ka theksuar se gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës, Kaçanikun do ta bëjë me shesh.
“Të gjitha projektet e parapara për realizim gjatë këtij viti sipas planit buxhetor, tashmë kanë filluar të iniciohen dhe pas përfundimit të procedurave të prokurimit, ato do të fillojnë së realizuari. Ndërsa ndër projektet e iniciuara është edhe projekti i kanalizimeve”, ka thënë ai.
E projekti më i madh dhe ai që i ka munguar kaçanikasëve tash e sa vjet sipas kryetarit, Besim Ilazi është sheshi në Qendrën e qytetit.
“Qytetarët e Komunës së Kaçanikut gjatë këtij mandati tim, do të kenë mundësinë të kenë një Shesh në qendrën e Qytetit, gjë e cila u ka munguar tash e sa vite. Në këtë shesh do të krijohen hapësira të bukura rekreative, që do t’i përshtatet të gjitha grupmoshave”, ka thënë Ilazi për portalin rtv21.tv.
Buxheti i Komunës së Kaçanikut për sivjet është mbi 9 milionë, ndërsa sipas kryetarit mbi 2 milionë janë të dedikuara për investimet kapitale. Ilazi ka theksuar se ky buxhet nuk është i mjaftueshëm për komunën në të cilën udhëheq.
“Ky buxhet as nga afër nuk i përmbush nevojat për realizimin e projekteve të shumta. Nëse marrim një shembull të thjeshtë vetëm ndërtimi i Shkollës Fillore “Emin Duraku” ka kosto mbi 2 milionë dhe në këtë këndvështrim ky buxhet i specifikuar për investime komunale është i pamjaftueshëm”, ka thënë Ilazi.
Kaçaniku shtrihet është në jug të Kosovës dhe sipas të dhënave zyrtare, ka 33 mijë e 454 banorë, dhe aktualisht 803 familje nga kjo komunë janë me asistencë sociale.
Përveç ndihmës nga shteti, këtyre familjeve edhe komuna po u del në ndihmë.
“Në shumë raste Komuna e Kaçanikut ka ndihmuar familjet skamnore me pako ushqimore, e në raste kur ata fillojnë ndërtimin e shtëpive Komuna e Kaçanikut ka ndihmuar me një shumë simbolike monetare”, ka thënë Ilazi, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
Sa i përket fushës së shëndetësisë, Ilazi për rtv21.tv ka thënë se po përballen me mungesë të stafit profesional, ndërsa pohon se të gjitha shërbimet kryhen “në afate rekorde”.
“Në shëndetësi infrastruktura është e kompletuar dhe lirisht mund të themi se kemi një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare që do të ishte model për qytetet e tjera. Po ashtu edhe shërbimet kryhen në afate rekorde falë stafit të angazhuar në këtë qendër. Sfidë me të cilën po përballemi është mungesa e stafit profesional”, ka thënë ai.
Ndërsa, në fushën e arsimi kryetari i Kaçanikut ka theksuar se deri më tani kanë bërë shumë investime dhe tani do të orientohen në ngritjen e cilësisë!
“Pas shumë investimeve të bëra, tashmë orientimi ynë do të jetë në ngritjen e cilësisë në arsim. Po ashtu planifikojmë të ndërtojmë 4 salla sportive, presim përfundimin e aneksit në Shkollën Fillore në Doganaj si dhe aneksin në Shkollën e Mesme Profesionale. Ndërsa prioritet është edhe ndërtimi i objektit të ri shkollor në qendër të qytetit në Shkollën Fillore “Emin Duraku” ku presim një përkrahje nga institucionet qendrore, sepse me buxhet të komunës një projekt i tillë është i pamundur të realizohet”, ka thënë Ilazi.
Besim Ilazi, kishte fituar garën për kryetar të Kaçanikut në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2012, pas dorëheqjes së Xhabir Zharkut. Që nga ajo kohë Ilazi ka fituar edhe tri mandate tjera radhazi. Mandati i katërt i Ilazit në krye të Kaçanikut përfundon në vitin 2025./21Media

Back to top button