Ilir Murtezaj rikthehet në krye të ATK-së

 

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj, rifillon punën, me ç’rast ka mbajtur takim me menaxhmentin e lartë, në të cilin u diskutuan aktivitetet në vijim, planet dhe objektivat për këtë vit.

Siç thuhet në njoftimin e ATK-së, bazuar në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës , i cili ka konstatuar se shkarkimi i drejtorit Murtezaj ka qenë i kundërligjshëm, andaj Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në zbatimin të vendimit të KPMSHCK me datë 17 maj 2021, ka marr vendim për kthim të menjëhershëm të Ilir Murtezajt në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës.

Gjatë takim të mbajtur me menaxhmentin e lartë, drejtori Murtezaj tha se do të vazhdojmë që të punojmë më përkushtim aty ku e kemi lënë. Prioritetet dhe objektivat e ATK-së do të kenë jetësim, nëse secili prej nesh do të punoj me profesionalizëm dhe dinjitet. Po ashtu, ai tha se jemi dëshmitar që ATK sikurse çdo institucion tjetër është duke u përballur me pasojat e pandemisë COVID 19, mirëpo, theksoj se ne jemi ata që mund të ri-marrim prapë proceset të cilat janë dëmtuar.

Drejtori Murtezaj në fund të këtij takimi potencoj se shteti ynë më shumë se kurrë ka nevojë të fuqizohet, ku të gjithë së bashku do të punojmë, përfshirë këtu bashkëpunimin institucional dhe ndërinstitucional, partneret tanë, si dhe tatimpaguesit.

Kujtojmë se Murtezaj ishte shkarkuar nga detyra e drejtorit të ATK-së, në tetor të vitit 2020 nga kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti.

Më pas në janar të këtij viti Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e kishte aprovuar ankesën e Ilir Murtezajt dhe e kishte obliguar kryeministrin e Kosovës që ta rikthejë në krye të këtij institucioni.

Por tri ditë pasi u rikthye nga shkarkimi në krye të ATK-së, Ilir Murtezaj ishte suspenduar nga Ministria e Financave.

Në vend të Murtezajt ushtrues detyre ishte caktuar Ekrem Hysenaj.

Back to top button