Imzot Dodë Gjergji uron dashuri, mirëkuptim e pajtim për Krishtlindje

Imzot Dodë Gjergji uron Krishtlindjet

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e festës së Krishtlindjes ka përcjellë urimet më të mira për besimtarët dhe popullin e Kosovës. Ai uroi që kjo festë të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin e t’iu mundësojë të gjithëve të kenë më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim.

Kërshëndellat, në thelbin e vet, bartin ftesën e Zotit për kthim kah Ai, kështu që ne, të cilët me sytë tanë arrijmë të shohim tërë botën, por jo fytyrën tonë, në shkëlqimin e dritës së Tij, e njohim bukurinë e shpirtit tonë. Ftesa e Krishtit për kthim nuk është ofertë që të lëmë një gjë e të marrim diçka tjetër. Nuk është as kërkesë për me i râ mohit një religjioni e për të përqafuar një tjetër. Por, është një ftesë për ta konvertuar zemrën, në mënyrë që ajo të mbushet me dashuri e të jetë e aftë ta dojë njerëzimin, tokën dhe qiellin, si Zoti; është ftesë për ta konvertuar shpirtin në Shpirt të Zotit, që na bën më të mirë, më të dhimbshëm, më të mëshirshëm, më të butë, më të drejtë e më të shenjtë. Ky ndryshim na bën njerëz të rinj, që bartin në vete lajmin e mirë të shpëtimit; shndërrohemi në burim dashurie, bëhemi bartësit e paqes dhe dëshmitarët e Zotit”, thuhet në urim.

Po ashtu, Ipeshkvi i Kosovës ka kujtuar të gjithë viktimat dhe të plagosurit nga tërmeti në Shqipëri si dhe ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë ndihmuar njerëzit të cilët kanë mbetur pa strehë mbi kokë. “Nuk mund të mos i kujtoj, këto ditë, gjithë ata shpirtra që ua ndërpreu jetën tërmeti në Shqipëri. Ata të plagosur që ende lëngojnë nga plagët e marra, atë trishtim dhe ata lot të fëmijëve, të burrave e grave dhe të gjitha ato familje të mbetura pa strehë e pa shpresë në këto net dimri. Në anën tjetër, dua t’i falënderoj dhe t’iu shpreh mirënjohje të gjithë njerëzve e institucioneve, që gjatë kësaj koha kanë ofruar shërbime të llojllojshme, kanë dhanë ose kanë grumbulluar ndihma dhe ata që kanë ofruar përgatitjen e tyre profesionale në përpjekje për t’u ndihmuar njerëzve. I nxisim të vazhdojnë të bëjnë edhe tutje të njëjtën gjë. Zoti e shpërbleftë veprën e të gjithë atyre që bëjnë mirë mbi tokë”, thuhet tutje në urimin.

Imzot Gjergji foli edhe për eksponentët politikë për të cilët tha se nuk po arrijnë të bashkëpunojnë në të mirë të njerëzve e të vendit as në raste fatkeqësisht e lërë më të gjejnë rrugën e paqes e të pajtimit të përhershëm. “Mbi gjitha, është e çuditshme dhe e dhimbshme njëkohësisht që, gjithandej ku jetojnë shqiptarët, ndihet njëlloj mosbesimi kolektiv tek e ardhmja më e mirë. Dhe, vërehet qartë se si disa i frenojnë proceset që na shpien kah ky qëllim. E, në anën tjetër, nuk mungojnë edhe ata që me kryeneçësi duan të na shpien të gjithëve te fati që kanë paracaktuar për ne. Kjo kohë bëhet edhe më e pakuptueshme, kur disa anëtarë të familjes evropiane, në vend që të na ndihmojmë të nxjerrim në pah identitetin tonë evropian, na gjykojnë për mbishtresat kulturore dhe na shtyjnë te iniciativa “hibride”, duke na konsideruar si një etnitet politik, ndryshe nga ta”, thuhet në urimin e Imzot Dodë Gjergjit.

Kujtojmë se mesha solemne e Krishtlindjes do të mbahet në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, të cilën do ta udhëheq Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarë të dioqezës./21Media

Back to top button