Inaugurohen bustet e Sala dhe Hamit Jashari në Prekaz

Në kuadër të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sot janë inauguruar bustet e dëshmorëve Sala dhe Hamit Jashari në Prekaz.

Në këtë përurim kanë marrë pjesë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj u shpreh se në Prekazin historik çdo shtëpi ka një histori, dhe shtëpia e Hamit e Sale Jasharit ishte shndërruar në strehë të sigurt për celulat e para të UÇK-së.

“Në Prekazin heroik, çdo shtëpi ka një histori. Shembulli i qëndresës heroike të Baces Shaban, Ademit e Hamzës, nuk ishte i vetëm. Shtëpia e Hamit e Sale Jasharit ishte shndërruar në strehë të sigurt për celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarët e lirisë, gjetën aty ngrohtësinë, por edhe frymëzimin për të vazhduar në rrugën e lavdisë. Në kohën kur nëna Sale dhe baci Hamit, ishin bërë simbole të qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë për sakrificë, ata hynë në faqet e historisë sonë kombëtare, për të mbetur aty, si yje ndriçues për brezat që vijnë. Pikërisht në vendin ku ata i falën jetën e tyre Atdheut, sot zbuluam bustet e tyre, që simbolizojnë sakrificën shekullore të familjeve shqiptare për liri e bashkim. Nëna Sale e baci Hamit, ju faleminderit për shërbimin!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”./21Media

Back to top button