Incident mbi Detin Jugor të Kinës
Aeroplanët kinezë ju afruan një aeroplani amerikan
Ministria e Mbrojtjes e Kinës ka kumtuar sot se përshkrimi i incidentit, gjatë së cilit dy aeroplanë luftarak kinezë ju afruan një aeroplani vëzhgues amerikan mbi Detin Jugor të Kinës, i bërë nga zyrtarët amerikanë, nuk është i vërtetë.
“Aeroplanët kinezë vepruan në mënyrë të sigurt dhe profesionale”, u theksua në komunikatën e ministrisë kineze të mbrojtjes.
Kjo ministri më tutje shtoi se ushtria amerikane duhet të ndërmerr hapa, për të shmangur aktivitetet e tilla të rrezikshme dhe se ushtria kineze është e vendosur që të mbrojë sovranitetin dhe sigurinë e Kinës.
Zyrtarë anonim amerikanë deklaruan se dy aeroplanë kinezë i janë afruar aeroplanit vëzhgues të flotës detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se njëri prej dy aeroplanëve kinezë i është afruar fluturakes amerikane në vetëm 180 metra.
Më tutje u theksua se njëri nga aeroplanët kinezë ka fluturuar para aeroplanit amerikan, duke i pamundësuar atij manovrimin./21Media