Incidenti në Ibër – Lepenc, reduktime uji në disa komuna

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se në komunat Fushë Kosovë, Obiliq e Drenas, do të ketë sërish reduktime nga ora 16:00 e deri në ora 20:00.
Sipas KRU Prishtinës, për shkak të intervenimeve inxhinierike mbrëmë në kanalin e Ibër Lepencit për të parandaluar rrjedhjet e ujit, nga pamundësia që të marrim sasi të mjaftueshme të ujit nga kanali.
“Njoftim i rëndësishëm. Për shkak të intervenimeve inxhinierike mbrëmë në kanalin e Ibër Lepencit për të parandaluar rrjedhjet e ujit, nga pamundësia që të marrim sasi të mjaftueshme të ujit nga kanali jemi të detyruar të aplikojmë reduktime të ujit në Fushë Kosovë, Obiliq dhe Drenas nga ora 16:00-20:00.
Shpresojmë që situata të stabilizohet shpejtë!”, ka shkruar KRU “Prishtina” në Facebook.
Këto komuna ishin përballur me reduktime të ujit edhe të shtunën si pasojë e shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit që ndodhi në orët e vona të së premtes.
Furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët ishte bërë nga cisternat. /21Media