​Inflacioni arrin në 6.7 për qind, këto janë produktet më të shtrenjta

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit mars, duke reflektuar një inflacion vjetor prej 6,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në baza mujore rritja ka arritur në 1,5%, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas raportit për muajin mars, të dhënat tregojnë se niveli i përgjithshëm i çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i disa kategorive kryesore të konsumit. Rritjet më të theksuara janë regjistruar te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit (+42,5%), biletat e fluturimeve (+38,4%), si dhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me banimin (+31,9%).

Po ashtu, rritje e konsiderueshme është vërejtur te energjia elektrike (+17,4%), karburantet dhe lubrifikantët (+17,4%), si dhe lëndët djegëse si dru zjarri dhe pelet (+15,6%). Ndikim në rritjen e inflacionit kanë pasur edhe pushimet e organizuara (+13,2%), pemët (+13,1%) dhe mishi (+12,4%).

Rritje çmimesh janë evidentuar edhe në një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh të tjera, përfshirë kafen, çajin dhe kakaon (+7,8%), shërbimet hoteliere (+6,9%), produktet ushqimore (+6,8%), si dhe ëmbëlsirat dhe produktet e sheqerit (+5,7%). Po ashtu, janë shtrenjtuar edhe shërbimet ambulantore, kujdesi personal dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake.

Në baza mujore, krahasuar me shkurtin 2026, rritja prej 1,5% është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për transport (+25,8%), si dhe nga rritja e çmimeve të perimeve (+3,7%), pemëve (+1,5%) dhe mishit (+0,3%).

Ndërkohë, disa kategori kanë shënuar ulje të çmimeve gjatë kësaj periudhe, përfshirë energjinë elektrike (-3,7%) dhe lëndët djegëse të ngurta (-2,2%), të cilat kanë zbutur pjesërisht rritjen e përgjithshme të çmimeve.

Back to top button