KPM: Po e analizojmë rastin e pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga ARBK

(Lajm i përditësuar)

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK) për të pezulluar certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova sh.p.k”.

KPM-ja thotë se është vënë në dijeni për këtë rast, ndërsa shton se është duke e analizuar rastin “konform Ligjit për KPM-në dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me dhënien e licencës dhe vlerësimin e aplikacioneve për licencë”.

“Rasti do të trajtohet në mbledhjen e KPM-së të premten më 16 qershor 2023”, ka thënë KPM-ja në njoftimin në Facebook.

Iniciohet kallëzim penal ndaj Klan Kosovës 

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Qeverisë së Kosovës ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.

Kështu thuhet në një njoftim për media të kësaj ministrie.

Në kuadër të kësaj shoqërie tregtare është edhe Televizoni Klan Kosova.

Kallëzimi penal, siç thuhet në njoftim, është iniciuar edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, “nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.

MINT ka theksuar se në bazë të akteve ligjore, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës (ARBK), “ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër”.

Arsyeja e pezullimit të kësaj certifikate, sipas vendimit të Drejtorisë së përgjithshme të ARBK-së, është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën e biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

“…nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë…”.

Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar duke thënë se është “thellësisht i tronditur me njoftimin e MINT-it për pezullimin e licensës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova”, siç thuhet, “përmes një vendimi të paargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim”.

“AGK-ja, e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Gjithashtu, është thënë se AGK-ja konsideron se “ ky vendim është marrë për të dërguar mesazh tek mediat tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik se sa aktualisht”.

AGK-ja ka theksuar se do të jetë në kontakt me organizatat partnere ndërkombëtare për lirinë e medias për të denoncuar këtë akt të Qeverisë.

Klan Kosova shpreh shqetësimin lidhur me njoftimin e orëve të pasdites të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se e njëjta ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj KLAN KOSOVA SHPK, si dhe se është marrë vendim për atë që e kanë quajtur “pezullim të certifikatës së biznesit”.

Klan Kosova është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, kurse deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria.

Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.

Klan Kosova thotë se asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë.

Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes.

Back to top button