Inspektorati i Punës: Kompania ku vdiq 34-vjeçari ishte gjobitur dy herë dhe i ishte ndaluar puna
Një 34-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punimeve në një ndërtesë në lagjen “Bajram Curri” në Prizren.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar Inspektoriati i Punës duke thënë se kompania e cila po kryente ndërtimin është gjobitur dy herë për shkelje të rënda të dispozitave për siguri e gjithashtu i ishte ndaluar edhe puna, por sipas Inspektoratit subjekti nuk e respektoi vendimin për ndalim të punimeve, për çka thuhet se u gjobit edhe herën e dytë.
“Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi ligjor, subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit, për çka i ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër”, thuhet në reagim.
Sipas Inspektoratit “ky rast tregon edhe njëherë rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës dhe të standardeve ligjore për siguri në punë”.
Inspektorati Qendror i Punës thotë se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ndriçimin e plotë të rastit.
Humb jetën një punëtor në vendin e tij të punës, ndalohet pronari i kompanisë ndërtimore