Inspektorati sekuestron vaj dhe shqipton gjoba nëpër markete
Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se inspektorët e tregut, inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, kanë inspektuar bizneset në tërë territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit, janë inspektuar depo, markete dhe me këtë rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e vajrave ushqimore. Për shkak të mungesës së dokumentacionit, është konstatuar mospërputhje e çmimeve dhe mashtrime me sasisë e produkteve.
“Janë inspektuar depo, markete dhe me këtë rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e vajrave ushqimore për shkak të mungesës së dokumentacionit, është konstatuar mospërputhje e çmimeve, mashtrime me sasisë e produkteve etj. Me këtë rast janë shqiptuar një numër i madh i gjobave gjithashtu lëndët do të trajtohen në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e MINT.
Tutje është bërë e ditur se Inspektoriati ka inspektuar edhe pika shitëse me pakicë të naftës dhe derivateve të naftës me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës.
“Inspektorati i Tregut i MINT në bashkëpunim me Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë inspektuar pikat shitëse me pakicë të naftës dhe derivateve të naftës me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përcaktimin e marzhës tregtare. Te disa biznese ka pasur mosbarazim sa i përket sasisë së stokut dhe me këtë rast do të shqiptohen gjoba në përputhje me ligjin”, ka thënë MINT përmes një komunikate./21Media