Institucionet e Kosovës cak i një sulmi kibernetik

Institucionet e Republikës dje dhe sot patën probleme të kohëpaskohëshme me shërbimin e internetit, kjo si pasojë e një sulmi kibernetik. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Dje dhe sot, ka pasur probleme të kohëpaskohëshme me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës. Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik. Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”, ka thënë Kryeziu.
Zëdhënësi i Qeverisë ka bërë të ditur se është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrur veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit. Për momentin, gjendja është stabile – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme. Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre”, ka thënë ai./21Media

Back to top button