​Interi mposhti Porton, City ndalet me barazim nga Leipzigu

Dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kampionëve kanë dhuruar një fitore dhe një barazim, të vlefshme për ndeshjet e para të fazës 1/16 të kësaj gare.
Në stadiumin “Red Bull Arena”, Manchester City u ndal me barazim 1-1 nga skuadra gjermane RB Leipzig.
Skuadra e Pep Guardiolas kaloi në avantazh 1-0 në minutën e 27′ me golin e Ryad Mahrez, por vendasit reaguan për ta barazuar rezultatin në minutën e 70′ me golin e mbrojtësit kroat Gvardiol, rezultat ky me të cilin edhe përfundoi ndeshja.
Ndeshja vendimtare do të zhvillohet pas dy javësh në stadiumin “Etihad” në Angli.
Në sfidën tjetër, Interi e ka mposhtur me mjaftë vështirësi Porton në “Giuseppe Meazza”. Golin e vetëm në këtë ndeshje e realizoi sulmuesi belg Romelu Lukaku në minutën e 88′.
Mysafirët luajtën për 10 minuta me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Otavios me karton të kuq.

Back to top button