Investitori amerikan i kriptovalutave thuhet se mbahet rob në Ukrainë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se është në dijeni se një shtetas amerikan që jeton në Ukrainë po mbahet rob nga separatistët pro-rusë.
Suedi Murekezi, 35 vjeç, një investitor i kriptove me origjinë nga Ruanda, thuhet se është arrestuar muajin e kaluar në qytetin port të Khersonit të pushtuar nga Rusia.
Miqtë dhe familjarët thonë se veterani i Forcave Ajrore të SHBA-së është akuzuar në mënyrë të rreme se i është bashkuar protestave pro-ukrainase.
Ai thuhet se ndodhet në të njëjtin burg me dy luftëtarë amerikanë të kapur muajin e kaluar.
Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se ishte “në dijeni të këtyre raporteve të pakonfirmuara”.
Por nuk pranoi të jepte komente të mëtejshme “për shkak të privatësisë”.
Familja e Murekezit ka qenë në kontakt të përditshëm me agjencinë, sipas Guardian.
Gazeta raporton se amerikani i zhdukur jetonte në Minesota dhe kaloi tetë vjet në Forcat Ajrore të SHBA deri në vitin 2017, kur filloi të investonte në aksione dhe kriptovaluta.
I tërhequr në Ukrainë nga rregulloret liberale të vendit për bitcoin, Murekezi bëri udhëtime pune në vend përpara se të vendosej përgjithmonë në Kherson dy vjet më parë, tha Guardian./21Media

Back to top button