IPK arreston katër policë
Katër zyrtarë policorë janë arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) pas një përleshje fizike me tre qytetarë të mërkurën në fshatin Mazgit.
Sipas njoftimit të IPK-së, zyrtarët policor ishin jashtë detyrës zyrtare.
“me veturë private kishin pasur një mosmarrëveshje në komunikacion në dalje të Autostradës në fshatin Mazgit me tre qytetarë të cilët kishin qenë duke drejtuar një automjet të modelit kombi. Pas mosmarrëveshjes të dy palët kanë ndalë automjetet e tyre në rrugë dhe kanë filluar një konflikt fizik mes vete, me ç’ rast nga të dy palët kanë pësuar lëndime trupore. Hetuesit e IPK-së dhe Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore Prishtinë, pas analizimit të rastit, rastin e kanë proceduar si vepër penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 i KPRK-së, dhe në cilësi të dyshuarit kanë intervistuar të gjithë personat e përfshirë në rast.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar Aktvendim mbi ndalimin e katër policëve dhe tre qytetar për 48 orë.
Derisa IPK njofton se për veprimet tjera lidhur me këtë rast do të ndërmerren në konsultim me prokurorin e shtetit./21Media